Ilir Daja ilaç i skuadrave, arrin ta kthej Dinamon në garat evropiane pas 15 viteve
I

Ilir Daja ilaç i skuadrave, arrin ta kthej Dinamon në garat evropiane pas 15 viteve

Pas një pritjeje prej 15 vitesh, Dinamo e Tiranës është rikthyer në skenën evropiane dhe e ka bërë këtë në mënyrë madhështore, duke siguruar një kualifikim historik për në turin e tretë të UEFA Conference League.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja përballoi me sukses ekipin nga Andorra, Atletic Escaldes, në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në “Elbasan Arena”.

Pasi kishte fituar ndeshjen e parë, Dinamo u paraqit me vetëbesim në përballjen e kthimit.

Skuadra shqiptare arriti të kalojë në avantazh që në minutën e 18-të, falë një goli të shënuar nga ylli i skuadrës Baton Zabërgja, i cili përfitoi nga një gabim i rëndë i mbrojtjes mike për ta çuar topin në rrjetë.

Në pjesën e dytë, miqtë nga Andorra reaguan shpejt dhe arritën të barazonin rezultatin në minutën e 49-të me anë të Berlangas.

Menjëherë pas golit, situata u komplikua për Dinamon, pasi mesfushori Karamba u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 53’, duke e lënë skuadrën shqiptare me një lojtar më pak në fushë për më shumë se 35 minuta lojë.

Megjithatë, skuadra e Ilir Dajës tregoi karakter dhe organizim të fortë në mbrojtje, duke menaxhuar mirë presionin.

Ekipi mori një frymëmarrje më të lehtë në minutën e 77-të, kur edhe Atletic Escaldes mbeti me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Andrade.

Me forcat e barabarta në fushë dhe një rezultat të favorshëm, Dinamo ruajti qetësinë deri në fund dhe arriti të mbrojë barazimin 1-1, që i garantoi kualifikimin.

Ky është një sukses i madh për klubin kryeqytetas, i cili pas viteve të vështira, përfshirë edhe rëniet në kategori më të ulëta, ka arritur të kthehet në elitë dhe të përfaqësojë me dinjitet Shqipërinë në arenën europiane.

Kalimi në turin e tretë të Conference League është një hap domethënës për projektin e ri të klubit dhe një motivim i madh për sezonin që po vjen. /AutoPortali

 

TË FUNDIT