Rashica do të largohet nga Besiktasi?
R

Rashica do të largohet nga Besiktasi?

Tensionet te Besiktas kanë arritur kulmin pas eliminimit të papritur nga Shakhtar Donetsk në kualifikimet për Ligën e Europës, dhe goditja e parë pas kësaj disfate duket se do të jetë largimi i Milot Rashicës.

Sipas mediumit turk Aksam, drejtuesit e klubit bardhezi kanë vendosur që përfaqësuesi kosovar të jetë lojtari i parë që do të largohet nga skuadra në këtë merkato verore, transmeton AutoPortali.

Kjo vjen pas një paraqitjeje zhgënjyese të Rashicës në ndeshjen e parë të luajtur në Stamboll, ku u vërshëllye nga tifozët dhe u zëvendësua mes pakënaqësive të mëdha në tribuna.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer, i emëruar së fundmi në krye të skuadrës, thuhet se ka kërkuar largimin e Rashicës pas performancës së dobët, ndërkohë që në takimin e kthimit, sulmuesi shqiptar nuk u aktivizua fare, duke qëndruar gjatë gjithë kohës në stol.

Burime pranë klubit konfirmojnë se Besiktas i ka kërkuar tashmë futbollistit të fillojë të kërkojë një destinacion të ri, ndërsa largimi i tij pritet të zyrtarizohet brenda pak ditësh.

Rashica ka një kontratë të vlefshme me klubin deri në vitin 2027 dhe një vlerë aktuale në treg prej rreth 6.5 milionë eurosh.

Deri tani nuk ka informacione konkrete për klubet e interesuara, por duke pasur parasysh eksperiencën e tij në Gjermani, Angli dhe Turqi, pritet që interesimi të mos mungojë.

Kujtojmë se Rashica iu bashkua Besiktasit në verën e vitit 2023 dhe ishte parë si një përforcim kyç për repartin ofensiv, por dëmtimet dhe luhatjet në formë e kanë penguar të tregojë vlerat e tij në mënyrë të qëndrueshme. /AutoPortali

TË FUNDIT