Piloti i Mercedesit, George Russell, ka konfirmuar se do të vazhdojë me skuadrën gjermane dhe se do të nënshkruajë një kontratë të re, por jo gjatë pushimit veror.
E ardhmja e britanikut ka qenë temë diskutimi këtë sezon, mes zërave se mund të zëvendësohej nga Max Verstappen. Megjithatë, Russell ka theksuar vazhdimisht se e ardhmja e tij është me Mercedesin, edhe pse Toto Wolff pranoi se pati bisedime me Verstappenin.
Pas konfirmimit se Max do të qëndrojë në Red Bull, Wolff shprehu publikisht dëshirën për të vazhduar me Russell dhe Antonellin në të ardhmen.
Russell, i cili në Hungari mori podiumin e gjashtë për këtë sezon, tha: “Nuk ka arsye për të nxituar. Nuk do të ndodhë asgjë gjatë pushimit, dua të çlodhem. Është çështje kohe kur do të firmos, jo nëse do të firmos”.

Ai shtoi se dëshiron një marrëveshje afatgjatë, por do të presë momentin e duhur për të finalizuar gjithçka. Pushimi veror në F1 zgjat deri në Çmimin e Madh të Holandës më 31 gusht në Zandvoort.



