“Në Formula 1 vlen aq sa gara jote e fundit”, është një thënie legjendare që Ayrton Senna e tha në vitet ’80. Duket se pikërisht kjo po ndodh me Lewis Hamiltonin, i cili është në “rënie të lirë” prej 12 garash, që nga fitorja në sprintin e Kinës. Deklarata e tij e së shtunës së kaluar: “Jam i padobishëm dhe Ferrari duhet të kërkojë një tjetër pilot”, ka shkaktuar reagime të forta dhe ndjesi shqetësimi mes gazetarëve sportivë britanikë, shkruan Marca.
“Nuk e shoh që do të rezistojë”
Ndër komentet e shumta, veçohet ai i Martin Brundle, komentatori i njohur i Sky Sports.
“Nuk e shoh që do të rezistojë edhe dy sezone të tjera në Ferrari, apo kudo tjetër, nëse vazhdon kështu”, theksoi Brundle.
“Pushimi veror është momenti ideal për Lewisin që të rikuperohet. Është dhimbje ta shohësh një kampion të madh në kaq shumë telashe dhe duhet të shpresojmë që do ta kalojë stuhinë dhe do ta gjejë formën e tij, për shkak të talentit dhe përvojës që ka”, shtoi ai, por nuk ishte plotësisht optimist.

Po nëse nuk rikthehet as në gusht?
Në mediat britanike janë shfaqur disa spekulime mjaft të guximshme.
“Duket shumë e pamundur që Hamilton të mos rikthehet për ta përfunduar sezonin, por nëse gjërat vazhdojnë kështu, do të duhet të rishqyrtohet dëshira e tij për rikthimin në vitin 2026,” thuhet në një nga analizat.
Megjithatë, nuk pritet që Lewis të marrë një vendim kaq drastik, veçanërisht duke pasur parasysh që viti 2026 sjell një element kyç që mund të ndryshojë gjithçka.
“Faktori kyç që pa dyshim do ta bindë Hamiltonin të provojë edhe një herë të arrijë lavdinë është fakti se SF-25 dhe pjesa tjetër e makinave të vitit 2025 do të harrohen, pasi vitin tjetër hyjnë në fuqi rregulla radikale të reja të dizajnit dhe një ndryshim shumë i rëndësishëm i motorit”, theksojnë ekspertët.



