Portieri i Paris Saint-Germain, Gianluigi Donnarumma, mund të bëhet një nga emrat kryesorë të merkatos së verës në Premier League.
Sipas Fichajes, interes për italianin kanë shfaqur Manchester United, Chelsea dhe Manchester City, të cilët synojnë të përfitojnë nga situata kontraktuale e trazuar mes lojtarit dhe klubit parisien, transmeton AutoPortali.
Donnarumma ka kontratë me PSG-në deri në vitin 2026, por nuk është i gatshëm të rinovojë nën kushtet e reja që përfshijnë pagesa të bazuara në bonuse.
Pala e lojtarit kërkon paga fikse, në përputhje me statusin e tij si një nga portierët më të mirë në botë.
Pas largimit të Kylian Mbappé pa dëmshpërblim, drejtuesit e PSG-së nuk duan ta përsërisin të njëjtin gabim dhe janë të hapur për ta shitur Donnarumman këtë verë.
Situata është bërë edhe më e ndërlikuar pas afrimit të Lucas Chevalier nga Lille.
Manchester United e sheh Donnarumman si zëvendësues të mundshëm për Andre Onana, duke mos përjashtuar shitjen e disa emrave me paga të larta, si Onana, Sancho apo Garnacho.
Chelsea mbetet në kërkim të një portieri të qëndrueshëm, për shkak të pasigurisë me Robert Sanchez, dhe Donnarumma shihet si opsioni ideal, edhe pse nuk është bërë ende një ofertë zyrtare.
Manchester City, ndonëse ka nënshkruar me James Trafford, vazhdon ta ndjekë nga afër situatën e italianit, me Guardiolën që nuk përjashton përforcime të mëtejshme në portë.
Megjithëse Donnarumma ka shprehur dëshirën për të qëndruar në Paris, presioni nga PSG dhe interesimi serioz nga klubet angleze mund ta çojnë drejt një transferimi në javët e ardhshme. /AutoPortali



