Marc Marquez është kampioni i ri i botës në MotoGP për vitin 2025. Falë vendit të dytë të arritur në pistën e Motegi, në Japoni, piloti spanjoll i Ducatit ka fituar matematikisht kurorën e kampionit.
Ky është titulli i shtatë në MotoGP, i nënti në total në garat e motoçiklizmit (ka edhe një titull në kategorinë Moto2 dhe një në 125cc). Një titull që vjen 5 vjet nga hera e fundit (2019, asokohe me Honda).
Gara e zhvilluar në Motegi u dominua nga italiani Francesco Bagnaia (Ducati), që një ditë më parë pat fituar edhe garën sprint. Marquez nuk bëri asnjë çmenduri për fitoren, por u mjaftua më vendin e dytë, që i dha titullin.
Në podium u ngjit edhe Joan Mir me Honda (i treti), që rikthehet në podium pas 4 vitesh.
Gjithsesi, fakti që Marquez shpallet kampion lë gjithcka tjetër në hije, ndërkohë që duhen edhe 5 gara që të mbyllet sezoni.
Asnjë pilot nuk kisnhte fituar titullin kampion pas 6 vitesh pritje. Lot dhe emocione për spanjollin, që barazon rekordin e Valentino Rossit, në një sezon që dominoi totalisht. Duket se vitet e vështira mes operacioneve e rrëzimeve tashmë janë lënë pas.




