Kosova po forcon radhët me një tjetër emër premtues Albian Hajdari, mbrojtësi i talentuar i Hoffenheimit, ka marrë vendimin për të përfaqësuar përfaqësuesen e Kosovës, duke lënë pas krahëve Zvicrën.
Lajmin e ka bërë publik gazeta prestigjioze zvicerane “Blick”, e cila shkruan se 21-vjeçari me prejardhje kosovare ka zgjedhur të veshë fanellën e Dardanëve, duke ndjekur shembullin e bashkëlojtarëve të tij, Fisnik Asllani dhe Leon Avdullahu, që gjithashtu janë pjesë e Kombëtares së Kosovës.
Sipas raportimeve, Hajdari do të jetë në dispozicion të trajnerit për dy ndeshjet miqësore që Kosova do t’i zhvillojë në tetor, kundër Sllovenisë dhe Suedisë.
Hajdari ka përfaqësuar Zvicrën në të gjitha grupmoshat, nga U-16 deri te kombëtarja A, ku ka luajtur në një ndeshje miqësore ndaj Luksemburgut. Megjithëse ishte pjesë e projektit afatgjatë të helvetikëve, ai ka vendosur t’i bashkohet vendit të origjinës.
Ky vendim konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për Kosovën, sidomos në repartin defansiv, ku Hajdari pritet të sjellë qetësi, përvojë dhe cilësi.




