Britaniku Goerge Russell dhe italiani Kimi Antonelli kanë fituar dy garat e para të këtij sezoni në Formula 1. Dy pilotët e Mercedes kanë bërë diferencën në pistë edhe falë një paraqitje më të mirë të makinës gjermane, duke sjellë edhe një rivalitet mes tyre, që sipas shefit Toto Wolff nuk do të sjellë përplasje në pistë.
Të dy janë të ndarë në renditje me katër pikë, me britanikun që ka fituar edhe garën sprint në Kinë. Ndaj, në Japoni të gjithë presin një tjetër përballje kokë më kokë edhe pse përvoja e britanikut është më e madhe se ajo e italianit.
Toto Wolff është i vetëdijshëm se njëfarë tensioni midis Russell dhe Antonelli është i pashmangshëm, por ai është i bindur se nuk do ta përjetojë përsëri incidentin Hamilton-Rosberg.
“Marrëdhënia dhe përvoja midis Russell dhe Antonelli është krejtësisht e ndryshme nga ajo midis Hamilton dhe Rosberg”, tha numri një i ekipit Mercedes, që shtoi: “Antonelli dhe Russell vijnë nga akademia jonë. Nico dhe Lewis kanë qenë rivalë gjatë gjithë karrierës së tyre, duke filluar në karting”.

“Ata kishin një miqësi të mirë, e cila më pas u shndërrua në një rivalitet të shëndetshëm, pastaj në një rivalitet dhe së fundmi, në armiqësi të natyrshme. Kur lufton për kampionatin, është krejtësisht normale që të ketë pak agresion midis shokëve të ekipit”, shtoi Wolff.
Në fund, ai komentoi: “Është në natyrën e gjërave që ekipi ta menaxhojë këtë situatë të mundshme. Megjithatë, jam i sigurt se themelet do të jenë krejtësisht të ndryshme, duke pasur parasysh që Russell dhe Antonelli u rritën si pilotë të Mercedes”.



