Zbulim i madh, mashtruesit i ndryshojnë kilometrat për pak sekonda
Z

Zbulim i madh, mashtruesit i ndryshojnë kilometrat për pak sekonda

Manipulimi i kilometrazhit në veturat e përdorura vazhdon të jetë një problem serioz, pavarësisht rregulloreve të Bashkimit Evropian. Një hulumtim i klubit gjerman të automobilizmit ADAC tregon se edhe veturat moderne mund të manipulohen brenda pak sekondash.

Sipas vlerësimeve, çdo e treta veturë e përdorur që shitet në Gjermani ka kilometrazh të kthyer prapa. Këto shërbime ilegale kushtojnë nga 50 euro, ndërsa mashtruesit arrijnë t’ia rrisin vlerën veturës mesatarisht për 3.000 euro. Dëmi vjetor në Gjermani llogaritet në rreth gjashtë miliardë euro.

Shtatë këshilla për blerësit e veturave të përdorura

Ekspertët e ADAC rekomandojnë disa hapa për të shmangur mashtrimin:

Kontrolloni historikun e veturës: Krahasoni faturat e servisit, kontrollet teknike dhe librezën e mirëmbajtjes.
Kontaktoni pronarin e mëparshëm: Verifikoni me sa kilometra është shitur vetura.
Kërkoni kilometrazhin real në kontratë: Mos pranoni formulime të paqarta nga shitësi.
Bëni kontroll profesional: Dërgojeni veturën në një servis të pavarur.
Vlerësoni gjendjen e përgjithshme: Konsideroni konsumimin e motorit, timonit, ulëseve dhe pjesëve të tjera.
Kontrolloni memorien elektronike: Pajisjet diagnostikuese mund të zbulojnë mospërputhje në të dhënat e veturës.
Kontrolloni datat e moduleve elektronike: Pjesët me data prodhimi të papërputhshme mund të tregojnë ndërrimin e tabelës së instrumenteve.

Edhe veturat moderne nuk janë të sigurta

ADAC ka testuar disa modele dhe ka zbuluar se manipulimi mund të kryhet shumë lehtë. Në një test të vitit 2025, kilometrazhi i një Hyundai i20 u zvogëlua për më shumë se 30.000 kilometra brenda pak sekondash. Ndërsa te Opel Corsa-e elektrike, shifra u ndryshua në vetëm 12 kilometra, duke rritur vlerën e veturës deri në 1.500 euro.

Si modele që kanë treguar mbrojtje më të mirë përmenden Audi A3 dhe Volkswagen Golf 8, megjithëse edhe për to janë shfaqur metoda të reja manipulimi.

Mashtrimi me kilometrazhin nuk shkakton vetëm humbje financiare, por mund të sjellë edhe defekte serioze. Për shembull, nëse pronari beson kilometrazhin e falsifikuar dhe nuk e ndërron rripin e dhëmbëzuar me kohë, motori mund të pësojë dëmtime të rënda.

Ndërkohë, Komisioni Evropian po shqyrton mundësinë që të dhënat e kilometrazhit nga veturat e reja të dërgohen automatikisht te institucionet përkatëse, për të luftuar këtë lloj mashtrimi.

TË FUNDIT