A është ndarë Formula 1 në ligën e parë dhe të dytë? Po përgatitet rebelimi i skuadrave më të dobëta
A

A është ndarë Formula 1 në ligën e parë dhe të dytë? Po përgatitet rebelimi i skuadrave më të dobëta

Rregulli që duhej të barazonte fuqitë dhe të sillte më shumë rivalitet në Formula 1 ka prodhuar efektin e kundërt. Kampionati është ndarë në dy botë: katër skuadra të paprekshme në krye dhe të gjitha të tjerat që luftojnë për pikët e mbetura!

Këtë problem e ka ngritur publikisht drejtori i Williams-it, James Vowles, ndërsa në debat janë përfshirë edhe projektuesi i njohur Adrian Newey nga Aston Martin dhe ish-piloti Alan McNish, përfaqësues i Audi-t.

Çështja kryesore është nëse kufiri buxhetor e ka thelluar hendekun mes skuadrave dhe e ka kthyer F1 në një kampionat ku ekipet e vogla pothuajse nuk kanë më mundësi të luftojnë për podium.

Për të penguar skuadrat më të pasura që të shpenzonin qindra miliona dollarë për të siguruar titujt, FIA vendosi kufizimin financiar në vitin 2021.

Kufiri fillestar ishte 145 milionë dollarë për sezon, ndërsa nga viti 2023 deri në vitin 2025 u ul në 135 milionë. Për vitin 2026, kufiri është rritur në 215 milionë dollarë për zhvillimin dhe funksionimin e makinave.

Megjithatë, një ide që në letër dukej e drejtë, në praktikë ka krijuar një hendek të madh mes skuadrave.

Statistikat tregojnë dominimin e skuadrave të pasura

Drejtori i Williams-it, James Vowles, nuk i kurseu kritikat ndaj këtij rregulli.

Sipas tij, kufiri buxhetor ka ndihmuar financiarisht skuadrat, por ka dëmtuar barazinë sportive.

AUTO-PRIX-F1-CHN-PODIUM

“Para një muaji analizova statistikat dhe rezultatet janë shqetësuese: në pesë sezonet e fundit me kufizim buxhetor, katër skuadrat më të mira kanë fituar 83 për qind të pikëve!

Para vendosjes së këtij rregulli, kjo përqindje ishte rreth 70 për qind.

Pra, situata është përkeqësuar ndjeshëm dhe të gjitha skuadrat e tjera luftojnë vetëm për 17 për qind të pikëve të mbetura.

Edhe podiumet e skuadrave jashtë katërshes së parë janë përgjysmuar, nga 10 në vetëm 5 për qind.

Mund të jap edhe shumë statistika të tjera, por kufiri buxhetor i ka përkeqësuar gjërat në vend që t’i përmirësojë”, deklaroi Vowles.

Adrian Newey kërkon buxhet më të madh për skuadrat e vogla

Me fjalë të tjera, skuadrat e pasura që në fillim kishin fabrika dhe pajisje më të avancuara kanë mbetur në krye, ndërsa ekipet e vogla nuk mund të investojnë më shumë për t’i arritur, për shkak të kufizimit të shpenzimeve.

Adrian Newey, i cili udhëheq sektorin teknik të Aston Martin-it, propozon një zgjidhje të ngjashme me rregullat e testimeve aerodinamike.

Aktualisht, skuadrat që renditen më poshtë në kampionat kanë më shumë kohë për testime në tunelin e erës dhe simulime kompjuterike.

F1 Grand Prix of United States - Practice

“Nëse shikoni rregullat për testimet në tunelin e erës, skuadrat në fund të tabelës kanë më shumë kohë sesa ato kryesoret. Prandaj, është logjike që edhe skuadrave që mbeten prapa t’u lejohet një shtesë e vogël në buxhet”, propozoi Newey.

Audi mbron kufirin buxhetor

Një qëndrim tjetër ka Audi, skuadra e re në kampionatin e Formula 1.

Përfaqësuesi i projektit të Audi-t në F1, Alan McNish, pranon se rregullat mund të përmirësohen, por mbron rëndësinë e kufirit financiar.

“Besoj se kufiri buxhetor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për qëndrueshmërinë e Formula 1.

Ky sistem është zhvilluar ndër vite dhe besoj se do të vazhdojë të evoluojë edhe në të ardhmen.

Është e qartë se FIA i kontrollon këto procese dhe ne kemi nevojë për një sistem të qëndrueshëm afatgjatë për të gjitha skuadrat, jo vetëm për disa prej tyre.

Kemi besim të plotë te FIA se mund t’i zbatojë këto masa dhe të vazhdojë në drejtimin e duhur”, deklaroi McNish.

TË FUNDIT