Piloti holandez, Max Verstappen, thotë se, nëse do të ishte drejtues i një ekipi, nuk do të zgjidhte kurrë dy pilotë kryesorë. Sipas tij, mjafton një makinë konkurruese dhe një pilot i dytë cilësor për të arritur rezultate më të mira.
Edhe pse drejtuesi i Ferrarit në Formula 1, Frederic Vasseur, u takua të mërkurën mbrëma në Sao Paulo me Lewis Hamiltonin dhe Charles Leclercun për të qetësuar situatën, përplasja mes dy pilotëve në Meksikë kishte shkaktuar tashmë shumë reagime.
I pyetur për këtë incident në Brazil, Max Verstappen tha se problemi kryesor qëndron te formacioni i pilotëve të Ferrarit.
Sipas tij, kur një ekip ka dy pilotë që duan të jenë numër një, përplasjet janë të pashmangshme.
“Po të kishin një pilot të qartë numër një dhe një numër dy, do ta përfundonin garën në vendin e parë dhe të dytë. Ose ndoshta në vendin e parë dhe të tretë, por edhe kjo është në rregull. Si ekip, përsëri do të fitonin shumë pikë”, deklaroi Verstappen.

Holandezi theksoi se nuk do të angazhonte kurrë dy pilotë kryesorë në të njëjtin ekip.
“E kam thënë edhe më parë. Shumë njerëz nuk pajtohen me mua, por nëse do të isha drejtues i një ekipi, nuk do të merrja kurrë dy pilotë numër një, sepse atëherë ndodhin gjëra të tilla. Asnjëri nuk dëshiron t’i hapë rrugë tjetrit, sepse të dy besojnë se mund të fitojnë. Edhe unë jam i tillë”, tha piloti i Red Bullit.



