Antonelli me tifozë të veçantë në garën në Imola
A

Antonelli me tifozë të veçantë në garën në Imola

Piloti i Mercedesit, Andrea Kimi Antonelli, ka deklaruar se është jashtëzakonisht i emocionuar për garën e tij të parë në vendlindje, Çmimin e Madh të Emilias-Romanja, që zhvillohet këtë fundjavë në Imola.

Edhe pse debutoi në Formula 1 vetëm para dy muajsh, Antonelli është tashmë një yll i madh, por ende ndjek shkollën. Për fat të mirë, përgatitjet për provimet përfundimtare nuk e kanë penguar aspak, madje përkundrazi. Këtë e dëshmon edhe fakti se në Majami, rreth dhjetë ditë më parë, ai fitoi pole position-in për garën sprint, duke u bërë piloti më i ri në histori që arrin këtë në çdo format gare.

“Jam shumë i lumtur, të premten do të shkoj në pistë direkt nga shtëpia ime në Bolonja, do të fle në shtratin tim. Po atë ditë është edhe ditëlindja e motrës sime më të vogël, ndaj do ta festoj me të. Do të jenë aty familja ime, miqtë e mi më të mirë, madje edhe e gjithë klasa ime. Meqë nuk mund të shkoj me ta në ekskursione, mendova t’i sjell të më shoqërojnë në pistë gjatë fundjavës”, tha Antonelli.

Deri më tani këtë sezon, Antonelli ka grumbulluar 48 pikë, dhe rezultati i tij më i mirë është vendi i katërt në debutimin e tij në Australi. Interesante është se i riu italian ka 45 pikë më pak se shoku i skuadrës George Russell, por 7 më shumë se Lewis Hamilton.

Aktivitetet në pistën “Enzo e Dino Ferrari” do të zhvillohen nga e premtja deri të dielën, ndërsa Çmimi i Madh i Emilias-Romanja është gara e parë nga një seri prej tre garash radhazi në Evropë.

TË FUNDIT