Pas zërave për një largim të mundshëm nga Aprilia, skuadra italiane ka dalë me një deklaratë zyrtare, duke konfirmuar se Jorge Martin do të mbetet pjesë e ekipit deri në fund të sezonit 2026.
Dyshimet nisën pas Çmimit të Madh të Francës, kur u përfol se kampioni aktual i MotoGP kishte aktivizuar një klauzolë për të ndërprerë kontratën, pas mungesës së rezultateve për shkak të lëndimeve. Martin ka garuar vetëm një herë këtë sezon, përpara se të pësonte dëmtime serioze në dorë, këmbë e brinjë, dhe rikthimi i tij në pistë nuk pritet para korrikut.
Aprilia e hodhi poshtë çdo pretendim për prishje të marrëveshjes, duke theksuar se kontrata është në fuqi dhe se do të respektohet plotësisht nga të dyja palët. Gjithashtu, ekipi paralajmëroi skuadrat rivale të mos kontaktojnë pilotë të kontraktuar, duke e cilësuar këtë si veprim të paligjshëm.
Martin do të vazhdojë rehabilitimin, ndërsa Aprilia shpreh mbështetje të plotë dhe pret rikthimin e tij në garë.



