Klubi kroat Dinamo e Zagrebit përmes një njoftimi zyrtar ka bërë me dije se Nenad Bjelica është larguar nga detyra e trajnerit dhe në vend të tij tashmë është konfirmuar legjenda italiane Fabio Cannavaro.
Bjelica u shkarkua pas një sërë rezultatesh të dobëta në elitën e futbollit kroat, duke bërë që Dinamo të humb hapin në garën për titull kampion.
Gjatë ditës së diel pati spekulime se legjenda italiane Fabio Cannavaro është kandidati favorit për t’u ulur në stolin e Dinamos. Kjo u konfirmua zyrtarisht dhe Canavaro do të drejtojë Dinamon në pjesën e mbetur të sezonit dhe do të përpiqet ta bëjë sërish kampion.
Hera e fundit që Cannavaro kishte drejtuar një ekip ishte Udinese, teksa ka pasur në menaxhim edhe ekipe tjera si Benevento, Kombëtaren e Kinës etj.

Mbetet të shihet se çfarë efekti do të ketë ardhja e Canavaros për futbollistin shqiptar Arbër Hoxha. Ky i fundit, këtë sezon ka luajtur në 16 ndeshje për Dinamo Zagrebin duke shënuar dy gola dhe duke bërë një asistim. Tani derbi më i madh kroat ndërmjet Hajdukut dhe Dinamos do të marrë një dimension tjetër sepse këto dy ekipe drejtohen nga dy legjenda italiane – Genaro Gatusso e Fabio Canavaro.



