Arjeta Rysha është e vendosur të arrijë rezultate edhe më të mira në automobilizëm. Për të realizuar këtë synim, ajo sivjet do të garojë me veturë tjetër dhe në klasë tjetër.
Nga Peugeot 106 1300 ccm, ajo ka kaluar në Honda Type-R 2000 ccmm 240 hp.
“Sivjet do të garoj me Honda Type-R, 2000 ccm, 240 hp. Është veturë më e shpejtë dhe do të jetë sfidë e re për mua. Do të jem pjesë e Grupit 5 (me Performance Factory, Grupi 5, Pf》159) ku konkurrenca është shumë e fortë, por unë jam optimiste që edhe në këtë grup do të arrij rezultate të mira”, ka thënë Arjeta në prag të fillimit të garave në disiplinën malore.
Agjenda e saj sivjet duket se do të jetë një sfidë aspak e lehtë, pasi planifikon të marrë pjesë në disa gara evropiane, e po ashtu edhe në ato vendore.
Ajo do të garojë në shtigje shumë prestigjioze e me garues që kanë bërë emër në garat evropiane.

“Tashmë e kam marrë ftesën për të garuar në Sternberk të Çekisë, por kemi planifikuar të garoj edhe në St Ursanne – Les Rangiers të Zvicrës dhe në ‘Ditët e Buzetit’, në Kroaci. Kjo sa u përket garave në FIA European Hill Climb Championship. Ndërsa, në kampionatin në kuadër të FIA CEZ do të marrë pjesë edhe në Krujë, Kullë, Brezovicë dhe St. Agatha në Austri”, ka bërë të ditur anëtarja e AK Ferizajt.
Arjeta tashmë ka bërë përvojë në disiplinën malore, duke qenë njëherë kampione e dy herë nënkampione në klasën e saj.



