Francesco Bagnaia nisi fazën aziatike të sezonit MotoGP në mënyrën më të mirë të mundshme, duke lënë pas performancën e dobët në Çmimin e Madh të San Marinos.
Piloti i Ducati-t ishte më i shpejti në sesionin e parë të praktikës së lirë në Motegi, duke lënë pas kampionin e 2024-ës Jorge Martin dhe shokun e skuadrës, Marc Marquez. Edhe pse në sesionin zyrtar ra në vendin e shtatë, ai ishte vetëm 0.346 sekonda larg kohës më të mirë, një përmirësim i madh krahasuar me fundjavat e mëparshme.
“Ishte një e premte e mirë”, tha Bagnaia. “Ishte hera e parë që ndjeva se mund të frenoj fort dhe të eksperimentoj sërish. Gabimi i vetëm ishte në xhiron e dytë të ‘time attack’-ut”.
Forma e dobët e muajve të fundit kishte shqetësuar drejtuesit e Ducati-t, por pas praktikës në Japoni, shefi i ekipit Davide Tardozzi tha: “Po, unë mendoj se ai është rikthyer. Tani e kemi gjetur drejtimin e duhur”.
Çelësi i këtij përmirësimi duket se ishte testi në Misano, ku Bagnaia më në fund ndjeu progres me motorin GP25. Ai testoi disa pjesë që nuk kishte pasur mundësi t’i provonte më herët, ndërkohë që përfitoi edhe nga këshillat e Casey Stoner, dy herë kampion bote.

“Testi në Misano ishte i vetmi ku ndjeva vërtet përmirësim. Kisha mundësi të provoja gjëra që nuk mundem gjatë një fundjave gare”, tha Bagnaia.
Sidoqoftë, prova e vërtetë për të mbetet gara sprint të shtunën, zona më e dobët e tij gjatë këtij sezoni.



