Basketbollisti i njohur nuk shkon në Serbi: Nuk luaj me klube të një vendi agresor
B

Basketbollisti i njohur nuk shkon në Serbi: Nuk luaj me klube të një vendi agresor

Basketbollisti i njohur letonez, Davis Bertans, ka marrë një vendim të fortë dhe parimor, duke refuzuar të marrë pjesë në turneun e Superkupës së Ligës VTB, që pritet të zhvillohet në kryeqytetin serb, Beograd, më 24 dhe 25 shtator.

Arsyeja qëndron në faktin se në këtë turne do të marrin pjesë edhe disa klube nga Rusia, një vend që Letonia, si dhe shumë shtete të tjera evropiane, e konsiderojnë agresor për shkak të agresionit të saj ndaj Ukrainës.

Turneu në fjalë përfshin katër ekipe pjesëmarrëse, CSKA Moska, Zeniti i Shën Petersburgut, Cërvena Zvezda nga Serbia dhe klubi nga Dubai, ku aktualisht luan Bertans.

Edhe pse pjesëmarrja e klubit të tij ishte planifikuar si pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri, Bertans ka vendosur të tërhiqet nga kjo ngjarje për të mos luajtur kundër klubeve ruse, transmeton AutoPortali.

Në një deklaratë të dhënë për mediat letoneze, Bertans shpjegoi se ka pasur një diskutim të hapur dhe të sinqertë me trajnerin dhe drejtorin e përgjithshëm të ekipit të Dubait, dhe pasi u shpreh për shqetësimin e tij, mori mbështetje të plotë nga stafi drejtues.

“Unë nuk dua të jem pjesë e një ngjarjeje ku marrin pjesë ekipe nga një vend që po zhvillon një luftë të hapur kundër një shteti sovran dhe po shkakton vuajtje të mëdha tek populli ukrainas. Kjo është çështje parimesh për mua,” theksoi ai.

Bertans shtoi gjithashtu se vendimi i tij nuk lidhet vetëm me përballjen potenciale me ekipet ruse, por edhe me mënyrën si është strukturuar ky turne dhe simbolika që përcjell ai në kontekstin aktual gjeopolitik.

Ai nënvizoi se organizimi i një gare sportive ku përfshihen ekipet ruse, në një vend që nuk ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj tyre, është një shembull shqetësues i mënyrës se si sporti mund të anashkalojë realitetet politike dhe humanitare.

“Edhe nëse në short do të përballesha vetëm me Cërvena Zvezdën dhe jo drejtpërdrejt me ekipet ruse, nuk do të merrja pjesë. Vetë emri i turneut dhe pjesëmarrësit janë të papranueshëm për mua në këtë fazë të luftës në Ukrainë,” deklaroi basketbollisti.

Bertans shprehu edhe një shqetësim blidhur me heshtjen ose neutralitetin e institucioneve sportive ndërkombëtare përballë situatës politike në Evropë.

Ai kritikoi organizatat që, sipas tij, mbyllin sytë ndaj bashkëpunimit të hapur të disa shteteve me Rusinë, siç është rasti i Serbisë. /AutoPortali

TË FUNDIT