Edhe pse duhen gati tre muaj deri në fillimin e Kampionatit Botëror në Formula 1 për vitin 2025, që tani janë projektuar kandidatët për triumfin final. Favoriti kryesor për t’u shpallur kampion sipas kompanive të basteve është Lando Norris.
Piloti i McLaren, i cili e mbylli Botërorin 2024 në vend të dytë, ka koeficientin më të ulët për fitimin e titullit, 2.87. Pas tij, me diferencë jo të madhe, vjen kampioni i katër sezoneve të fundit, Max Verstappen, teksa titulli i pestë për pilotin e Red Bullit jepet me koeficientin 3.25. Podiumin e favoritëve e plotëson Charles Leclerk i Ferrarit, me koeficientin 5.

Me shumë interes po pritet debutimi i Lewis Hamiltonit me Ferrarin, teksa britaniku pritet të zbresë në pistën e Fioranos në teste mes datave 20-21 janar. Por shtatë herë kampioni botës në F1 është i katërti në renditjen e pretendentëve sipas kompanive të basteve, teksa triumfi i tij kuotohet me koeficientin 8.5. Kampionatin Botëror i Formula 1 do të fillojë më 16 mars 2025 në Australi.



