Merkatoja e verës po bëhet gjithnjë e më interesante për mesfushorin e përfaqësueses së Zvicrës me origjinë nga Kosova, Ardon Jashari.
Prej kohësh në radarët e Milanit, talenti i ri është bërë tashmë objekt i dëshiruar edhe për Chelsea-n dhe Bayer Leverkusen, dy klube që po kërkojnë përforcime të rëndësishme në mesfushë.
Drejtuesit e Milanit kanë zhvilluar disa takime me drejtuesit e Club Brugge, që zotëron kartonin e lojtarit, dhe kanë paraqitur disa oferta për të afruar mesfushorin 23-vjeçar.
Megjithatë, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm nga ana e Milanit dhe dëshirës së vetë lojtarit për të veshur fanellën kuqezi, marrëveshja nuk është arritur për shkak të kërkesave të larta financiare të klubit belg, transmeton AutoPortali.
Club Brugge ka vlerësuar Jasharin me një çmim prej 40 milionë euro, prej të cilave të paktën 35 milionë duhet të jenë pagesë fikse, pa përfshirë bonuset.
Oferta më e fundit e Milanit, që shkon rreth 33.5 milionë euro plus 4.5 milionë në bonuse, nga të cilat vetëm 2.5 milionë janë të lehta për t’u realizuar, nuk ka qenë e mjaftueshme për të bindur belgët.
Në këtë situatë të pasigurtë, kanë hyrë në skenë dy klube të tjera të mëdha evropiane, bëhet fjalë për Chelsea nga Premier League dhe Bayer Leverkusen, kampionët aktualë të Bundesligës.
Sipas gazetarit belg, Sacha Tavolieri, Chelsea ka ndërmend të paraqesë një ofertë të strukturuar për Jasharin në ditët në vijim, duke e parë atë si një investim të rëndësishëm për të ardhmen e repartit të mesfushës.
Nga ana tjetër, Leverkusen, që tashmë ka siguruar një vend të rëndësishëm në skenën evropiane pas sezonit të jashtëzakonshëm nën drejtimin e Xabi Alonso-s, e sheh Jasharin si zëvendësuesin ideal të Granit Xhakës, i cili është transferuar së fundmi në Sunderland.
Ardon Jashari, sezonin e kaluar ka spikatur në kampionatin belg dhe në ndeshjet ndërkombëtare me Zvicrën, ndërsa së fundmi nuk ka fshehur dëshirën për të kaluar në një klub të madh.
Milani mbetet destinacioni i tij i preferuar, por me rritjen e konkurrencës nga Anglia dhe Gjermania, presioni mbi drejtuesit kuqezi po shtohet.
Në ditët në vijim priten zhvillime të reja, ndërsa të tria klubet janë të gatshme të lëvizin konkretisht për një nga mesfushorët më të kërkuar të merkatos evropiane këtë verë. /AutoPortali



