Podiumet e fituesve në garat e automobilizmit kosovar janë bërë ritual i rregullt për Belkim Fazliun. Për anëtarin e AK Prizreni D&G nuk ka rëndësi nëse gara është në disiplinën malore, auto sllallom apo auto sllallom me veturave elektrike, sepse ai është aty për të gjitha.
“Auto sporti është një lloj ‘infeksioni’ në të cilin mund të hezitosh të futesh, por është shumë më vështirë të largohesh prej tij. Për mua automobilizmi është pasion dhe pavarësisht sfidave e kostos së lartë, përpiqem të jem sa më aktiv. Kjo natyrisht që kushton shumë, qoftë në apsketin financiar, qoftë me përkushtimin tonë në punë, biznes e kohë për familje, por kur afrohet koha e garës, emocionet e bëjnë të veten dhe unë, por edhe shumë të tjerë përfundojmë në shteg”, ka thënë Fazliu për faqen zyrtare të FASK-ut.
Ai shpreson që kampionati i sivjetmë të jetë pozitiv për të personalisht, por edhe për automibilizmin tonë në përgjithësi.
“Shpresoj të arrij rezultate të mira në të gjitha disiplinat ku marr pjesë. Unë e jap maksimumin në secilën garë dhe besoj që në fund të jem i kënaqur me të arriturat e mia, por uroj të jetë vit i suksesshëm për automobilizmin tonë, si në garat vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare”, ka shtuar Belkimi.
Obligimet e Belkimit në rrafshin sportiv tashmë kanë kaluar në një dimension tjetër, pasi në gara është përfshirë edhe djali i tij, Olisi.

“Është emocion i veçantë kur e sheh fëmijën tënd në garë. Shpresoj që Olisi të ketë rrugëtim të suksesshëm, ndërsa është i sigurt fakti që ai do ta ketë mbështetjen time maksimale”, është shprehur Fazliu.
Belkimi tashmë ka aplikuar për garën e radhës, “Kulla 2026”, e cila mbahet më 13 e 14 qershor.



