Pista e aeroportit në Krosno, një qytet në juglindje të Polonisë, ishte vendngjarja e një gare të dielën, e cila nuk përfundoi aspak mirë. Pamjet e një automjeti BMW që përplaset në turmë po qarkullojnë në rrjetet sociale.
Radioja polake raportoi se 18 persona janë plagosur, nga të cilët dy janë në gjendje kritike, ndërsa policia ka mohuar zërat se ka të vdekur.
Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se drejtuesi i automjetit, 27 vjeç, ka qenë esëll, dhe se hetimet janë ende në vijim për të përcaktuar nëse shkaku ishte gabimi i tij apo ndonjë defekt teknik në makinë.
Në Krosno janë dërguar mbi 10 ekipe shpëtimi për shkak të përmasave të këtij incidenti të tmerrshëm, ndërkohë që policia u ka bërë thirrje dëshmitarëve që të dërgojnë sa më shumë video dhe fotografi për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes.
Moment wypadku na imprezie w Krośnie na lotnisku. 18 osób zostało rannych w tym 4 ciężko. #krosno #KingOfPoland #DragRaceClub #lotnisko pic.twitter.com/dbuoY8nAWj
— Janek 🇵🇱 (@jan_janek_) May 25, 2025
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga “Fakt” polak, mjekët po luftojnë për jetën e një 18-vjeçareje, gjendja e së cilës është “shumë e rëndë”. Ndërkohë, drejtuesi i mjetit dhe organizatori 39-vjeçar i garës janë ndaluar nga autoritetet.



