Trajneri David Moyes ka bërë një punë të shkëlqyer që nga rikthimi në krye të bankinës së Evertonit. Qëllimi i vetëm i tij ishte të siguronte qëndrimin në Premier League para se klubi të zhvendoset në stadiumin e ri ‘Bramley-Moore Dock’ dhe këtë e arriti me lehtësi.
Tani, me Evertonin tashmë të sigurt, javët e fundit të sezonit ofrojnë mundësi për lojtarët e stolit dhe ata që duan të provojnë veten. Një prej tyre është Armando Broja, i cili ka dërguar një mesazh.
Broja iu bashkua Evertonit verën e kaluar në formë huazimi nga Chelsea me shpresën që të forconte repartin ofensiv, por dëmtimet ia kanë prishur sezonin.
Ai ka luajtur vetëm në 9 ndeshje, me 297 minuta në total, pa gola apo asistime. Megjithatë, Broja është optimist dhe i vendosur të tregojë veten.
Në një deklaratë për “Everton Official”, ai u shpreh:
“Ndihem shumë më mirë tani. Jam i lumtur që mund të rikthehem në fushë dhe të luaj pa dhimbje. Kjo ishte gjithçka që doja, të isha pa dhimbje, të shijoja futbollin, të luaja përpara tifozëve dhe të jepja maksimumin për skuadrën”.
“Jam 100 për qind i sigurt që kam shumë më tepër për të dhënë. Më e mira nga unë ende nuk ka ardhur. Do të ketë momente ku do të shënoj, do të asistoj dhe do të luaj shumë më mirë, me siguri”, është shprehur sulmuesi shqiptar.



