BYD Yangwang U9 Xtreme forcon pozitën si vetura më e shpejtë në botë, pasi arriti shpejtësinë prej 503 km/h (VIDEO)
B

BYD Yangwang U9 Xtreme forcon pozitën si vetura më e shpejtë në botë, pasi arriti shpejtësinë prej 503 km/h (VIDEO)

Vetura elektrike kineze BYD Yangwang U9 Xtreme arriti shpejtësinë prej 503,17 km/h në një rrugë publike në shkretëtirën e Abu Dhabit, duke u bërë automjeti i parë serik që kalon kufirin prej 500 km/h.

Pas një aksidenti të rëndë gjatë testimeve në Kinë, piloti gjerman Mark Basseng shkroi histori me këtë arritje.

Gjatë testimeve të mëparshme në Kinë, një ekzemplar i U9 Xtreme humbi kontrollin në shpejtësi ekstreme dhe u përplas fuqishëm me barrierat mbrojtëse.

Nga vetura e shtrenjtë mbeti vetëm një grumbull i pjesëve të shkatërruara prej fibrave të karbonit, ndërsa piloti, për mrekulli, shpëtoi pa lëndime serioze.

BYD publikoi edhe videon e aksidentit, duke treguar rreziqet me të cilat përballen inxhinierët kur testojnë kufijtë e fizikës.

Megjithatë, ekipi kinez nuk u dorëzua. Për tentimin historik u zgjodh një segment plotësisht i drejtë i autostradës ndërkombëtare Sheikh Khalifa bin Zayed në Abu Dhabi.

Dhjetë kilometra rrugë u mbyllën për qarkullim dhe u pastruan me kujdes nga rëra dhe gurët e vegjël, për të shmangur dëmtimin e gomave gjatë shpejtësive ekstreme.

Në timon u ul sërish piloti gjerman Mark Basseng.

3.019 kuaj fuqi dhe katër motorë elektrikë!

Që në shtator të vitit 2025, Yangwang U9 Xtreme kishte arritur shpejtësinë prej 496,22 km/h në pistën gjermane Papenburg, duke kaluar Bugatti Chiron Super Sport 300+, i cili kishte arritur 490,48 km/h.

Por BYD nuk u ndal me kaq.

Gjatë ditës së parë të testimeve në Emirate, Basseng kaloi shpejtësinë prej 490 km/h. Më pas, inxhinierët përmirësuan aerodinamikën, sistemin e amortizimit, presionin e gomave dhe temperaturat e baterisë dhe motorëve elektrikë.

Ditën tjetër erdhi rezultati historik: 503,17 km/h!
Teknologjia e kësaj veture është mbresëlënëse:
Katër motorë elektrikë të pavarur, nga një për secilën rrotë.
Fuqia totale prej 3.019 kuaj fuqi.
Motorë që arrijnë deri në 30.000 rrotullime në minutë.
Sistem elektrik me tension prej 1.200 voltësh.
Bateri speciale BYD Blade.
Goma të zhvilluara për ngarkesa ekstreme.
Modeli do të prodhohet në një seri shumë të kufizuar, prej vetëm 30 ekzemplarësh.

Pse FIA ende nuk e njeh rekordin?

Edhe pse shpejtësia prej 503,17 km/h është matur dhe dokumentuar, ekziston dallim mes shpejtësisë maksimale të regjistruar dhe rekordit zyrtar botëror.

Sipas rregullave të Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA), për t’u njohur një rekord zyrtar, vetura duhet të kryejë dy vozitje të njëpasnjëshme në drejtime të kundërta, brenda 60 minutave.

Pastaj llogaritet mesatarja e të dy rezultateve, për të neutralizuar ndikimin e erës dhe pjerrësisë së rrugës.

Meqenëse BYD e arriti shpejtësinë prej 503,17 km/h vetëm në një drejtim, ky rezultat ende nuk përbën rekord të ri zyrtar botëror sipas standardeve të FIA-s.

 

 

TË FUNDIT