Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se tanimë janë në negociata që ngjarja më prestigjioze të futbollit evropian, Globe Soccer Awards.
Gjatë emisionit të tij që transmetohet në rrjetet sociale “Sy më Sy”, Rama tha se konkurrentë për të qenë nikoqir i kësaj ceremonie është Madridi, ku do të marrin pjesë yje të futbollit botëror, event që mbahet çdo vit në Dubai.
“Jemi në diskutim për të sjellë në Tiranë, në Shqipëri por me 95% në Tiranë edicionin evropian të Globe Soccer Awards, të çmimit të globit të futbollit. Është një eveniment i jashtëzakonshëm që mbahet në mënyrë të përvitshme, sa i përket edicionit të vetë global në Dubai dhe për edicionin evropian organizatorët janë në një diskutim me Madridin dhe me ne. Dikur evente të tilla ishin të paimagjinueshme, por propozimet po na vijnë edhe vetë tani. Kemi shumë arsye të besoj qe zgjedhja do bie mbi ne dhe do të jetë fantastike që çmimin e futbollistit më të mirë të vitit nga Globe Soccer Lamine Yamal, fjala vjen, t’ia japim këtu në Tiranë”, tha Rama.



