Francesco Bagnaia do të mungojë në Çmimin e Madh të Portugalisë këtë fundjavë, pasi vazhdon rikuperimin nga lëndimi i pësuar gjatë fundjavës së garës në Katar.
Piloti i skuadrës zyrtare të Ducatit pësoi frakturë në këmbë pasi u godit nga Fermin Aldeguer i Gresinit gjatë garës sprint në Losail. Për këtë arsye, ai u detyrua të mungonte edhe në garën kryesore të ditës së diel.
Pas kontrolleve fillestare në një spital në Doha, italiani udhëtoi drejt Torinos, ku iu nënshtrua një operacioni që rezultoi i suksesshëm. Që atëherë, ai ka vazhduar rehabilitimin në shtëpi, me shpresën për t’u rikthyer në gara.
Megjithatë, Ducati konfirmoi të hënën se Bagnaia nuk do të jetë pjesë e garës në Portimao.
Në vend të tij do të garojë Iker Lecuona, 26-vjeçari spanjoll, i cili këtë sezon ka bërë disa paraqitje me Gresinin, duke zëvendësuar Fermin Aldeguerin dhe Alex Marquezin.
Kjo do të jetë hera e parë që Lecuona do të garojë me skuadrën zyrtare të Ducatit, përkrah kampionit aktual të botës, Marc Marquez.
Në njoftimin zyrtar, Ducati konfirmoi se Lecuona do të marrë drejtimin e motorit Desmosedici GP në garën e 21-të të sezonit, që zhvillohet më 20-22 nëntor në pistën Algarve të Portugalisë.

Spanjolli këtë sezon ka garuar në pesë gara të MotoGP-së me Gresinin, ku rezultati më i mirë ishte vendi i shtatë në Hungari. Ai gjithashtu përfundoi në top-10 në Katar.
Bagnaia synon rikthimin në garën e fundit të sezonit, Çmimin e Madh të Valencias, që zhvillohet më 27-29 nëntor. Kjo pritet të jetë edhe gara e tij e fundit si pilot i Ducatit.
Sipas Ducatit, italiani po vazhdon rikuperimin pas operacionit për stabilizimin e dy frakturave në këmbën e djathtë, me synimin që të rikthehet në pistë për garën finale të sezonit në Valencia.



