Arbitri kosovar Mervan Bejtullahu ka qenë në qendër të vëmendjes pas një gabimi të pazakontë në ndeshjen e Conference League mes Gyori-t të Hungarisë dhe Pyunikut të Armenisë, e vlefshme për raundin e dytë kualifikues të kompeticionit evropian.
Pas fitores 2:1 në ndeshjen e parë nga armenët, Gyori reagoi fuqishëm në shtëpi dhe arriti të përmbysë rezultatin me një fitore 3:1, duke siguruar kështu kalimin në raundin e tretë.
Goli vendimtar erdhi në minutën e 90-të, kur kroati Daniel Shtefulj realizoi për 3:1 dhe e festoi golin duke hequr fanellën, një veprim që arbitri Bejtullahu e ndëshkoi me karton të verdhë, sipas rregullores, transmeton AutoPortali.
Por vetëm pesë minuta më vonë, Shtefulj bëri një ndërhyrje të rrezikshme ndaj një kundërshtari, duke e goditur në fytyrë me këmbë në një aksion të pakontrolluar.
Edhe ky veprim u ndëshkua me karton të verdhë, çka do të thoshte se lojtari duhej të përjashtohej me të kuq për shkak të dy kartonëve të verdhë.
Megjithatë, për çudi, lojtari nuk u përjashtua dhe vazhdoi të luante, pamjet tregojnë se Bejtullahu, fillimisht i hutuar, u konsultua me ndihmësit, por në fund vendosi ta linte Shtefulj në fushë dhe ky veprim ngjalli reagime të shumta nga tifozët dhe mediat.
Sipas “index.hr” dhe raportit zyrtar të UEFA-s, dyshohet se Bejtullahu ka ngatërruar lojtarët në momentin e ndëshkimit të parë. Kartonin e verdhë për festimin pas golit duket se zyrtarisht e ka marrë Dejan Boldor, që mban numrin 25, ndërsa Shtefulj kishte numrin 23. Në pamje shihet arbitri duke iu afruar të dy lojtarëve, duke lënë vend për konfuzion në procesin e vendimmarrjes.
Ky incident pritet të analizohet nga UEFA dhe mund të ketë pasoja për vlerësimin e performancës së gjyqtarit kosovar.
Megjithatë, deri tani nuk është bërë ndonjë koment zyrtar nga organet përkatëse. /AutoPortali



