UEFA ka përjashtuar për 10 vite nga garat evropiane ekipin nga Mali i Zi, Arsenal Tivat dhe e ka gjobitur me 500 mijë euro, pas akuzave për kurdisjen e ndeshjeve kundër Alashkertit të Armenisë në korrik 2023.
Në ndeshjet e Conference League, e para për Arsenal Tivatin në Evropë, bastoret kishin sinjalizuar baste të dyshimta.
Sipas mediave malazeze në takimin e dytë, që përfundoi 6:1 për Alashkertin, u vunë baste të mëdha për më shumë se dy gola në pjesën e parë dhe mbi pesë gola gjithsej, dy golat në fund të pjesëve e bënë ndeshjen të dyshimtë, transmeton AutoPortali.
TVP nga Polonia ishte media që ngriti dyshimet e para, të cilat më pas u konfirmuan nga UEFA.
Një zyrtar dhe një lojtar u përjashtuan përjetë, ndërsa tre lojtarë të tjerë morën dënime 10-vjeçare.
Kryetari i klubit, Dejan Kandiq, deklaroi më herët se hetimet nisën pas kallëzimit të tij dhe të komunës së Tivatit, duke pretenduar se vetëm lojtarët ishin nën hetim, megjithatë, UEFA dënoi edhe një drejtues klubi.
Ky është rasti më i rëndë në futbollin malazez, më parë, dënim të ngjashëm kishte marrë vetëm Skënderbeu i Korçës në vitin 2018, që u përjashtua po për 10 vite për kurdisje dhe u gjobit me 1 milion euro. /AutoPortali



