Gareth Southgate i jep fund aventurës si trajner i Anglisë, pas plot 102 ndeshjesh në drejtimin e “Tre Luanëve”.
Pas humbjes në finalen e Euro 2024 kundër Spanjës, ai zyrtarizoi largimin përmes një letre lamtumire prekëse, transmeton AutoPortali.
“Si një anglez krenar, ka qenë nderi më i madh i jetës sime të luaj për Anglinë dhe ta drejtoj atë. Kam dhënë maksimumin tim çdo ditë. Por tani është momenti për ndryshim dhe për të nisur një kapitull të ri”, shkruan ai.
Southgate tha se finalja në Berlin ishte ndeshja e tij e fundit si trajner i Anglisë.
Ai iu bashkua Federatës Angleze të Futbollit në vitin 2011 me misionin për të kontribuar në zhvillimin e futbollit anglez dhe për tetë vite në krye të kombëtares, ka udhëhequr një brez të ri lojtarësh me përkushtim dhe dinjitet.
“Kam pasur fatin të punoj me persona të mrekullueshëm dhe të drejtoj një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh, të cilët kanë përfaqësuar me krenari fanellën e Anglisë”, shton ai.
Southgate theksoi se skuadra që përfaqësoi Anglinë në Euro 2024 është e mbushur me talente të reja që kanë potencialin për të fituar trofeun që e ëndërron gjithë vendi.
“Do të mbetem gjithmonë tifoz i Anglisë dhe mezi pres të shoh se si këta lojtarë do të vazhdojnë rritjen e tyre. Faleminderit për gjithçka, Angli”, përfundon ai.
Pas finales, mediat britanike raportuan se Federata donte ta mbante në detyrë deri në përfundim të kontratës në dhjetor. Megjithatë, Southgate kishte marrë vendimin për t’u larguar, duke mbyllur një epokë të rëndësishme për kombëtaren angleze.



