Pas zhvillimit të fazës finale të Kampionatit Europian U-16 dhe Kampionatit Ballkanik U-21 për vajza, Federata Ballkanike e Futbollit kishte planifikuar që nga data 6 deri më 10 gusht të organizonte në Tiranë Kampionatin Ballkanik U-21 për djem.
Megjithatë, ky event është anuluar për shkak të tërheqjes së dy përfaqësueseve pjesëmarrëse.
Së pari, Serbia bëri të ditur se nuk do të merrte pjesë në këtë kompeticion, një vendim që u pasua nga tërheqja e Bullgarisë.
Kjo solli që nga pjesëmarrësit të mbeteshin vetëm tri skuadra, Shqipëria, Kosova dhe Turqia, një numër i pamjaftueshëm për të zhvilluar një turne me rivalitet të denjë.
Në këtë situatë, Federata Ballkanike e Futbollit mori vendimin për anulimin e aktivitetit, duke e cilësuar si të paarsyeshme dhe të papranueshme tërheqjen e skuadrave nga ky turne.
Ky lajm ka qenë një zhgënjim për organizatorët dhe për skuadrën shqiptare, e cila ishte përgatitur intensivisht për këtë garë.
Skuadra kombëtare U-21 e Shqipërisë ishte grumbulluar që prej disa javësh për këtë event, duke zhvilluar stërvitje fillimisht në Tiranë dhe më pas duke u zhvendosur në Korçë, ku stërvitjet vazhduan në pallatin e sportit “Tamara Nikolla”.
Nën drejtimin e stafit teknik të përbërë nga trajnerët Elton Tukseferi, Erin Sejati, Klodian Kasa dhe Emiliano Xhabrahimi, futbollistët kishin punuar për të arritur maksimumin në këtë kampionat.
Ndërkohë, pritet që Federata Ballkanike të shqyrtojë mundësitë për organizimin e aktiviteteve të ardhshme, duke shpresuar që të ketë pjesëmarrje më të plotë dhe më shumë konkurrencë për zhvillimin e futbollit rinor në rajon. /AutoPortali



