“Diario ABC”: Shqipëria nga një destinacion i fshehur në një hit turistik falë rrjeteve sociale

“Diario ABC”: Shqipëria nga një destinacion i fshehur në një hit turistik falë rrjeteve sociale

Institucionet dhe bizneset kanë zbuluar fuqinë e përmbajtjeve virale në platformat e mëdha sociale, të cilat po shërbejnë si magnet për tërheqjen e turistëve drejt destinacioneve të caktuara, shkruan media spanjolle “Diario ABC”.

Videot në TikTok, fotografi mahnitëse që bëhen virale në Instagram apo rekomandime nga influencerët, mund ta kthejnë çdo vend në destinacionin më të kërkuar të verës. 

Zhvillimi i jashtëzakonshëm i rrjeteve sociale, ka ndryshuar mënyrën se si planifikohen pushimet, duke krijuar një realitet, ku guidat turistike, agjencitë e udhëtimit dhe reklamat tradicionale bashkëjetojnë me përmbajtjet, që zbulojmë në ekranin e telefonit.

Për të kuptuar ndikimin e tyre, mjafton të shihet se 70% e të rriturve në Spanjë kalojnë më shumë se 30 minuta në ditë, në rrjetet sociale, ndërsa 35% i përdorin ato mbi dy orë në ditë, sipas Shoqatës Spanjolle të Neurologjisë. 

Nuk është për t’u habitur, që ato janë kthyer në një nga burimet kryesore të frymëzimit për planifikimin e udhëtimeve.

Ky fenomen po ndikon drejtpërdrejt në zyrat e turizmit, bashkitë dhe kompanitë private të sektorit.

“Po bëhet gjithnjë e më e zakonshme që institucionet dhe bizneset turistike të bashkëpunojnë me krijues të përmbajtjes për të promovuar destinacionet. Kur këto bashkëpunime organizohen mirë, ato ndihmojnë që mesazhi të arrijë te grupe të caktuara turistësh, të cilët prezantojnë destinacionin dhe tregojnë përvojat reale që reklamat tradicionale nuk arrijnë t’i përcjellin”, tha Silvia Avilés, drejtoreshë e Samitit të Inovacionit në Turizëm.

Shqipëria

Një shembull i qartë është bregdeti i Shqipërisë, i cili disa vite më parë përjetoi një shpërthim të madh të numrit të turistëve, të tërhequr nga plazhet mahnitëse dhe çmimet e ulëta që promovoheshin në mijëra video në TikTok dhe Instagram.

Shqipëria përjetoi një bum të jashtëzakonshëm si destinacion turistik falë përhapjes virale të peizazheve të saj në TikTok

Vitet e fundit, mijëra video të publikuara në TikTok dhe Instagram, ku shfaqen plazhet me ujëra të kristalta dhe çmimet e përballueshme, kanë tërhequr vëmendjen e miliona përdoruesve, duke e kthyer bregdetin shqiptar, në një nga destinacionet më të kërkuara në Evropë.

Ky interes është reflektuar edhe në shifra. 

Gjatë vitit 2025, Shqipëria priti mbi 12,4 milionë vizitorë të huaj, rreth 6,6% më shumë se një vit më parë, duke vendosur një tjetër rekord për turizmin.

Më të preferuara nga turistët mbeten destinacionet e Rivierës Shqiptare, si Ksamili, Saranda, Himara, Dhërmiu dhe Vlora, të njohura për plazhet e tyre me ujëra të kthjellëta. 

Paralelisht, po rritet edhe interesi për turizmin malor, me Thethin dhe Valbonën që tërheqin çdo vit gjithnjë e më shumë vizitorë. 

Ndërkohë, qytetet me vlera historike dhe kulturore, si Berati, Gjirokastra, Kruja, Shkodra, Butrinti dhe Tirana, vazhdojnë të jenë ndalesa të rëndësishme në itineraret e turistëve vendas dhe të huaj.

Sipas autoriteteve shqiptare, vendi po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një destinacion turistik gjatë gjithë vitit, ndërsa rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e vizibilitetit të Shqipërisë, në tregun ndërkombëtar të turizmit.

Inteligjenca artificiale dhe e ardhmja e turizmit

Nëse vitet e fundit sektori i turizmit është transformuar nga rrjetet sociale, në dekadën e ardhshme inteligjenca artificiale pritet të sjellë një revolucion të vërtetë.

Drejtori për Strategjinë, Transformimin dhe Inteligjencën Artificiale, në HBX Group, Javier Cabrerizo thekson se IA-ja mundëson një nivel shumë më të lartë personalizimi.

“Rreth 40% e turistëve, tashmë e përdorin inteligjencën artificiale për planifikimin e udhëtimeve dhe më shumë se 60% janë të gatshëm ta bëjnë këtë. Kjo tregon një ritëm shumë të shpejtë të përhapjes së një teknologjie, që deri para pak vitesh pothuajse nuk ekzistonte në jetën e përditshme të konsumatorëve”, tha ai.

Sipas tij, mundësia më e madhe nuk është thjesht të rekomandohet një destinacion, pasi këtë e bëjnë tashmë motorët e kërkimit, por të kuptohet çfarë dëshiron realisht secili turist.

“IA-ja mund të sugjerojë akomodime, aktivitete dhe itinerare që përputhen me interesat, buxhetin dhe stilin e udhëtimit të secilit. Gjithashtu ndihmon që udhëtimi të vizualizohet më mirë para rezervimit, duke e bërë planifikimin më të thjeshtë, më efikas dhe më frymëzues”, theksoi ai.

A do ta zëvendësojë kjo teknologji faktorin njerëzor?

“Jo. E ardhmja nuk do të jetë zëvendësimi i njerëzve nga teknologjia. Rrjetet sociale do të vazhdojnë të jenë burim frymëzimi, inteligjenca artificiale do ta bëjë më të lehtë kërkimin dhe personalizimin, ndërsa besimi do të vazhdojë të ndërtohet përmes përvojave dhe rekomandimeve njerëzore”, tha Cabrerizo.

“Gjithçka që ndodh përpara udhëtimit – kërkimi, krahasimi, çmimet, shpërndarja e ofertave dhe rekomandimet – po automatizohet me shpejtësi dhe do të dominohet nga algoritmet, të dhënat dhe modelet parashikuese”, shtoi ai.

“Ndërsa ajo që ndodh gjatë udhëtimit – mikpritja në hotel, zgjidhja e problemeve të papritura apo kujdesi ndaj turistit – do të mbetet thellësisht njerëzore, tha ai.

71% e profesionistëve të sektorit besojnë se inteligjenca artificiale do të përmirësojë produktivitetin dhe përvojën e turistëve, por jo t’i zëvendësojë njerëzit.

Industria e turizmit ka nisur tashmë një rrugëtim të pakthyeshëm drejt digjitalizimit, ku rrjetet sociale janë shndërruar në “ambasadorët” e rinj, që frymëzojnë dhe udhëzojnë turistët gjithnjë e më të lidhur me botën online. 

Hapi i radhës është inteligjenca artificiale, e cila po troket në derë për të plotësuar rolin e këtyre platformave dhe për të ofruar përvoja udhëtimi të personalizuara, që do të mbeten gjatë në kujtesën e turistëve… dhe në “feed”-in e Instagramit./ATSH.

TË FUNDIT