Fernando Alonso do të rikthehet në Rally Dakar në vitin 2027, për herë të parë që nga viti 2020, me synimin për të fituar një ditë garën më të vështirë në botë.
Spanjolli do të garojë me një veturë Prodrive, të bazuar në modelin Dacia Sandrider dhe me ngjyrat e Aston Martin. Megjithatë, ai pranon se këtë herë sfida do të jetë edhe më e madhe për shkak të kohës së kufizuar për përgatitje.
“Dakar 2027 do të jetë një sfidë shumë më e madhe për mua sesa ishte në vitin 2020. Këtë herë kam vetëm dy ditë testime në Marok”, deklaroi Alonso.
Dy herë kampioni i botës në Formula 1 kujtoi edhe vështirësitë e përvojës së tij të parë në rally-raid, duke theksuar se kërkohet një nivel krejtësisht tjetër përqendrimi nga ai në Formula 1.
“Për katër apo pesë orë nuk mund t’i largosh sytë nga rruga. Në Dakar çdo metër është i panjohur”, shpjegoi ai.

Alonso pranoi se pilotët me përvojë, si bashkëlojtari i tij Sébastien Loeb, kanë avantazh të madh, por nuk e fsheh ambicien për të triumfuar një ditë në Dakar.
“Është një sfidë shumë e madhe, por pikërisht kjo e bën tërheqëse. Dua që në të ardhmen të provoj ta fitoj këtë garë”, përfundoi spanjolli.



