Dokumenti sekret nga i cili mund të tronditet Formula 1
D

Dokumenti sekret nga i cili mund të tronditet Formula 1

Një dokument konfidencial i rrjedhur së fundi, ka ndezur alarmet në botën e automobilizmit. BBC zbulon se presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, po kërkon ndryshime të mëdha në statutet e organizatës, që sipas ekspertëve “mund të ndryshojnë përgjithmonë Formulan 1”.

Në dokumentin që pritet të votohet në qershor, propozohet që presidenti të ketë më shumë fuqi në zgjedhje, përfshirë të drejtën për të ndaluar kandidatë kundërshtarë dhe për të emëruar anëtarë kyç pa miratim të Senatit. Kritikët e quajnë këtë një “grusht institucional”.

Veçanërisht problematike shihet mundësia që FIA të përdorë Kodin Etik për të përjashtuar figura si Carlos Sainz, legjenda e rally-t, i cili synon të kandidojë në dhjetor, për shkak të lidhjeve të tij me djalin, Carlos Sainz Jr., pilot i Williams në F1.

Po ashtu, ndryshimet shtyjnë afatin për dorëzimin e kandidaturave dhe sinkronizojnë mandatin e komiteteve me atë të presidentit, çka mund të përdoret për të eliminuar zërat kritikë jashtë cikleve zgjedhore.

Ben Sulayem, që ka qenë nën kritika për ndërhyrje në garat e F1 dhe menaxhim të dobët, tani akuzohet se po përpiqet të betonojë pushtetin përmes rregullave të reja.

Nëse këto ndryshime miratohen, Formula 1 mund të përballet me një epokë të re, ku politika e brendshme mund të ketë më shumë ndikim se garat në pistë.

 

TË FUNDIT