Skuadra e Formula 1, Alpine, ka njoftuar zyrtarisht se ka ndërruar shefin e ekipit, dhe i famshmi Flavio Briatore do ta zëvendësojë Oliver Oakes në këtë pozicion.
Vetëm 12 orë më vonë vjen një tjetër lajm tronditës: Alpina do të ndryshojë pilotët!
Djali i legjendës së gjallë të MotoGP-së, Mick Doohan, Jack Doohan, shkarkohet dhe në vend të tij vjen Franco Colapinto, për të cilin prej kohësh qarkullojnë zëra se do të bashkohet me ekipin.
Colapinto do të ketë pesë gara, duke filluar nga Çmimi i Madh i Emilias Romagna, për të dëshmuar veten përkrah Pierre Gasly-t, ndërkohë që vlerësimi për vendin e dytë në skuadër pritet të bëhet përpara garës në Silverstone.
Doohan do të mbetet pjesë e ekipit në rolin e pilotit rezervë, me mundësinë për t’u rikthyer në formacionin aktiv më vonë gjatë sezonit.
Briatore theksoi se skuadra dëshiron të ketë një pamje të qartë për pilotët për sezonin 2026, i cili do të jetë thelbësor për shkak të ndryshimeve në rregulloren teknike.
“Pasi analizuam fillimin e sezonit, vendosëm t’i japim një shans Frankos në pesë garat e ardhshme. Gara këtë vit është jashtëzakonisht e ngushtë dhe kemi një makinë konkurruese, ndaj kemi arritur në një pikë ku rotacioni i pilotëve është i domosdoshëm. Jack mbeti profesionist deri në fund dhe do të vazhdojmë ta mbështesim. Gjatë këtyre pesë garave do të provojmë diçka ndryshe dhe më pas do të marrim një vendim”, tha Briatore.

Dramat padyshim që nuk do të mungojnë, pasi lëvizja e parë radikale e Flavio Briatore u pa vetëm 12 orë pasi u shpall zyrtarisht si shef i Alpine.



