Presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, befasoi tifozët me një postim në Instagram, ku shkruante: “Ju folët, ne ju dëgjuam. Motorët V8 po vijnë së shpejti“. Megjithatë, postimi u fshi pak minuta më vonë, duke ngritur pikëpyetje për marrëveshjen e re.
FIA po synon rikthimin e motorëve V8 në Formula 1 në vitin 2030, një vit më herët se plani fillestar. Propozimi përfshin motorë 2.1-litërsh V8 turbo, me një komponent më të vogël elektrik.
Megjithatë, prodhuesit nuk janë plotësisht të pajtimit. Ford dhe Cadillac mbështesin reduktimin e teknologjisë hibride, ndërsa Audi dhe Honda kërkojnë që ajo të mbetet pjesë e rëndësishme e motorëve të ardhshëm.
Sipas propozimit, fuqia elektrike do të reduktohet nga 350 kW në 100 kW, me 100 kW shtesë për parakalime.
FIA synon që rregullorja përfundimtare të prezantohet më 10 dhjetor në Shangai, por marrëveshja mes të gjitha palëve duhet të arrihet më herët, në mënyrë që prodhuesit të kenë kohë për zhvillimin e motorëve të rinj.



