Një studim i Universitetit të Aachenit në Gjermani, ku u analizuan 115 motorë elektrikë nga 80 modele veturash të prodhuara mes viteve 2019 dhe 2025, ka treguar se prodhuesit kinezë tashmë janë në nivel të barabartë me ata evropianë dhe amerikanë.
Dallimi kryesor qëndron te materialet: ndërsa prodhuesit evropianë përdorin kryesisht aluminin, shumë prodhues kinezë kanë kaluar në magnez, duke ulur peshën e motorit për 20 deri në 30 për qind.
Studimi gjithashtu zbuloi se fuqia e motorëve elektrikë është rritur rreth 45 për qind krahasuar me vitin 2019, ndërsa modelet moderne arrijnë mbi 20.000 rrotullime në minutë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se këto rezultate nuk dëshmojnë domosdoshmërisht jetëgjatësi dhe besueshmëri më të madhe.
Përfundimi i studimit është se prodhuesit kinezë kanë arritur nivelin teknologjik të konkurrencës perëndimore dhe në përdorimin e materialeve të lehta tashmë po udhëheqin industrinë.



