Sa zgjat realisht bateria e një veture elektrike? Ford publikon të dhënat pas 3.2 miliardë kilometrash
S

Sa zgjat realisht bateria e një veture elektrike? Ford publikon të dhënat pas 3.2 miliardë kilometrash

Një nga shqetësimet kryesore të shoferëve që mendojnë të blejnë një veturë elektrike është jetëgjatësia e baterisë. Për të dhënë përgjigje konkrete, Ford ka analizuar më shumë se 36.000 vetura elektrike Mustang Mach-E, të prodhuara në vitin 2021, të cilat në SHBA dhe Kanada kanë përshkuar gjithsej 3.2 miliardë kilometra.

Rezultatet tregojnë se pas pothuajse pesë vitesh përdorimi, bateritë ruajnë mesatarisht 92 për qind të kapacitetit fillestar. Madje, te 95 për qind e veturave të analizuara, gjendja e baterisë ishte ndërmjet 87 dhe 97 për qind.

Një Mustang Mach-E ka përshkuar 640.000 kilometra

Më shumë se 2.000 vetura kanë kaluar mbi 160.000 kilometra me baterinë origjinale, duke ruajtur mesatarisht mbi 91 për qind të kapacitetit të saj. Ndërsa më shumë se 30 shoferë kanë kaluar 320.000 kilometra.

Rekordin e mban një Mustang Mach-E i vitit 2022, i cili ka përshkuar plot 640.000 kilometra me baterinë origjinale.

Ford thekson se bateritë e modeleve të tij elektrike janë projektuar për të funksionuar për më shumë se dhjetë vjet dhe i nënshtrohen testeve të qëndrueshmërisë në temperatura dhe kushte ekstreme.

Tri këshilla për jetëgjatësinë e baterisë

Ford veçon tri rregulla kryesore që shoferët duhet t’i ndjekin:

  1. Preferoni mbushjen në shtëpi (AC) për përdorim të përditshëm, ndërsa mbushësit e shpejtë (DC) përdorini kryesisht gjatë udhëtimeve të gjata.
  2. Shmangni temperaturat ekstreme. Parkimi në hije gjatë verës dhe përgatitja paraprake e baterisë para nisjes ndihmojnë në ruajtjen e saj.
  3. Ndiqni rekomandimet për nivelin e mbushjes, përmes aplikacionit Ford, i cili ofron këshilla sipas llojit të baterisë.

Të dhënat e Ford tregojnë se kilometrazhi i lartë dhe vitet e përdorimit nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht degradim të madh të baterisë, duke dëshmuar qëndrueshmërinë afatgjatë të veturave moderne elektrike.

TË FUNDIT