Fakte që duhet ditur për garën e fundjavës në Formula 1
F

Fakte që duhet ditur për garën e fundjavës në Formula 1

Pas garave në kontinente tjera, Formula 1 zbarkon këtë fundjavë në Evropë, me pistën legjendare të Imolas që pret Çmimin e Madh të Emilias Romanje.

Gara do të zhvillohet të dielën në orën 15:00 dhe shënon rikthimin në një pistë historike, të njohur edhe për aksidentin fatal të Ayrton Sennas në vitin 1994.

Imola, me dizajnin e saj klasik dhe kthesat teknike, mbetet një nga sfidat më të mëdha për pilotët. Me vetëm një zonë DRS dhe shumë pak hapësira për parakalime, gara pritet të jetë strategjike dhe e paparashikueshme. Statistikat flasin për një shans 75 për qind që makina e sigurisë të futet në pistë.

Ferrari ndodhet nën presion në pistën e vet, me Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton që kërkojnë rezultat pozitiv për të rikthyer ekipin italian në garën për titullin e konstruktorëve.

Ndërkohë, Mercedes dhe McLaren shfaqen si pretendentë të fortë, pas performancave të mira në Majami. Oscar Piastri dhe Lando Norris do të tentojnë të sfidojnë edhe një herë dominimin e Max Verstappen, i cili fitoi garën e vitit të kaluar.

Për herë të parë pas katër vitesh, një pilot italian, Kimi Antonelli, do të garojë në shtëpi. 17-vjeçari është një prej talenteve më premtues dhe do të ketë mbështetjen e dhjetëra mijëra tifozëve.

Kushtet atmosferike priten të jenë ideale, me temperatura rreth 20°C dhe pa reshje. Pirelli do të sjellë për herë të parë përbërjen më të butë të gomave C6, duke shtuar një tjetër element të panjohur për garën.

Gara nis të premten me sesionet e provave të lira në orën 13:30 dhe 17:00, ndërsa kualifikimet zhvillohen të shtunën në orën 16:00. Spektakli kulmon të dielën me startin në ora 15:00.

TË FUNDIT