Faton Rama edhe sivjet synon rezultate kulmore
F

Faton Rama edhe sivjet synon rezultate kulmore

Sipas kalendarit të publikuar nga Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK), gara e parë në disiplinën malore për kampionatin e sivjetmë do të jetë “Grashtica 2025”, që do të mbahet më 6 qershor.

Anëtari i Eurogoma Racing Team, Faton Rama, shpreson që deri atëherë të jetë gati që me veturën e tij, Renault Clio, të nisë me sukses sfidat për plasman sa më të mirë në fund të kampionatit.

“Jemi në prag të fillimit të kampionatit dhe po përgatitemi për nismë sa më të mirë. Duke marrë parasysh që vetura e re, e aksidentuar në vitin e kaluar, është më vështirë të përgatitet për garë, me shumë mundësi kampionatin do ta nis me veturën e vjetër, e cila po ashtu ka nevojë edhe për pak investime”, ka thënë Rama për Autoportali.com.

Gjithsesi, ai beson që edhe sivjet do ketë rezultate të mira.

“Pavarësisht se konkurrenca do të jetë e fortë, unë besoj që edhe sivjet do të kem rezultate të mira. Nuk do të jetë e lehtë, sepse përveç pjesës financiare, na duhet të ndajmë edhe shumë kohë, por pasioni për auto sport është ai që na shtyn të vazhdojmë të jemi pjesë e garave”, ka shtuar Fatoni.

Ndryshe, Kampionati i Kosovës sivjet nis me 27 prill, me garën që mbahet në Ferizaj, në disiplinën e auto sllallomit.

TË FUNDIT