Tifozët e Ferrarit po humbasin durimin ndërsa skuadra italiane lufton të gjejë ritmin e duhur në sezonin e ri të Formula 1. Me Grand Prix-in e Imolas që po afron, pyetjet mbi aftësinë e makinës SF-25 për të konkurruar me rivalët mbeten pa përgjigje.
Pavarësisht pritshmërive të larta dhe përforcimit të skuadrës me kampionin Lewis Hamilton, Ferrari nuk po arrin të kapë hapin me McLarenin, Red Bullin dhe Mercedesin.
Problemi kryesor, sipas shefit të ekipit Frederic Vasseur, qëndron në paaftësinë e makinës për të shfrytëzuar gomat e reja gjatë xhirove kualifikuese.
“Në Majami humbëm shumë që në kualifikime. Xhirot tona më të mira u bënë me goma të përdorura, gjë që është e papranueshme në këtë nivel”, u shpreh Vasseur.
Sipas tij, makina SF-25 jep performancë të mirë me goma të përdorura, por humbet terren sapo rivalët kalojnë në goma të reja. Kjo po e penalizon rëndë Ferrarin në pozicionimin fillestar dhe po vë në dyshim garat e tyre që në start.
Në pistën e Majamit, problemet dolën edhe më në pah. Vasseur pranoi se karakteristikat e pistës e thelluan hendekun me ekipet e tjera, veçanërisht për shkak të vështirësive në menaxhimin e gomave të pasme.

“Na mungon kohezioni mes makinës dhe gomave të reja. Kjo do të jetë fusha ku do të përqendrojmë përpjekjet tona në javët e ardhshme”, përfundoi Vasseur.
Ndërsa tifozët presin me padurim përmirësime në Imola, Ferrari përballet me presionin e rikthimit në majën e podiumit – një mision që po bëhet gjithnjë e më i vështirë.



