Pas zyrtarizimit të transferimit të tij te Sunderland, mesfushori zviceran me prejardhje shqiptare Granit Xhaka ka ndarë emocionet dhe ambiciet që e shtynë të bashkohej me klubin e rikthyer në Premier League.
Xhaka, i cili do të mbajë fanellën me numrin 34, është shprehur i entuziazmuar për fillimin e këtij kapitulli të ri në karrierën e tij.
“Jam shumë krenar që jam këtu,” deklaroi ai. “Kur fola me klubin, ndjeva menjëherë energjinë dhe mentalitetin që kanë njerëzit dhe lojtarët. Ishte pikërisht ajo që kërkoja dhe kam një ndjesi shumë të mirë për këtë projekt” – ka thënë Xhaka.
Ish-kapiteni i Arsenalit dhe kampion i Bundesligës me Bayer Leverkusen theksoi se është gati të sjellë përvojën dhe cilësinë e tij në një skuadër që synon të konsolidohet në elitën e futbollit anglez.
“Ne jemi kthyer aty ku ky klub duhet të jetë dhe duam të qëndrojmë këtu për të shkruar historinë tonë. Jam i gatshëm të ndihmoj me përvojën time, por edhe me cilësinë që kam. Ka qenë një pritje e gjatë, por tani jam këtu dhe mezi po e pres që të nis.”
Ky transferim shihet si një hap i madh për Sunderland-in, që jo vetëm rikthehet në Premier League pas një periudhe të gjatë mungese, por edhe arrin të sigurojë një nga mesfushorët më të vlerësuar në skenën ndërkombëtare. /AutoPortali



