Flavio Briatore, një nga figurat më të njohura dhe njëkohësisht më kontraverse në historinë e Formula 1, është emëruar zyrtarisht si shefi i ri i ekipit Alpine.
Ky emërim vjen pas dorëheqjes së Oliver Oakes, i cili ka drejtuar skuadrën që nga korriku i vitit 2024. Oakes, ish-kampion bote në karting në vitin 2005, dha dorëheqjen e parevokueshme dhe ekipi e ka pranuar menjëherë largimin e tij nga pozita.
Në një njoftim zyrtar, Alpine bëri të ditur:
“Oakes ka dhënë dorëheqjen nga funksioni i shefit të skuadrës. Ekipi e ka pranuar dorëheqjen me efekt të menjëhershëm. Që nga sot, Flavio Briatore do të vazhdojë si këshilltar ekzekutiv dhe do të marrë detyrat që më parë i kishte Oakes”.

Alpine aktualisht renditet në vendin e nëntë në renditjen e konstruktorëve të Formula 1, me vetëm 7 pikë, ndërsa për ta garojnë Pierre Gasly dhe Jack Doohan.
Rikthimi i Briatores vjen në një moment kritik për Alpine, që po përballet me rezultate të dobëta. Gara e radhës për Çmimin e Madh të Emilias-Romagna do të mbahet më 18 maj, dhe mbetet për t’u parë nëse ky ndryshim në drejtim do të sjellë një kthesë pozitive për skuadrën franceze.



