Flick: Qëllimi i Barcelonës është të fitojë çdo trofe
F

Flick: Qëllimi i Barcelonës është të fitojë çdo trofe

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka shprehur qartë ambicien e tij për të vazhduar suksesin e skuadrës katalunas në sezonin e ardhshëm, duke ndërtuar mbi bazat e një viti të shkëlqyer për klubin.

Pas një sezoni të bukur ku Barca siguroi tripleten spanjolle, LaLigan, Superkupën e Spanjës dhe Kupën e Mbretit, të gjitha të fituara përballë rivalit të përjetshëm, Real Madrid, Flick synon të çojë klubin edhe më lart në edicionin 2025/26.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në prag të ndeshjes miqësore kundër FC Seul, e cila do të zhvillohet të enjten në orën 20:00 sipas kohës lokale në Korenë e Jugut, Flick dha një pasqyrë të qartë të objektivave të tij për sezonin e ri.

Ai theksoi se filozofia e fitimit dhe gara për trofe do të mbetet në qendër të projektit të tij te Barcelona.

“Ne e shohim veten si konkurrues për tituj. Qëllimi ynë është i njëjtë si gjithmonë, të fitojmë çdo ndeshje dhe të luftojmë për çdo trofe,” deklaroi Flick me bindje, duke lënë të kuptohet se Barcelona do të jetë agresive në të gjitha kompeticionet ku merr pjesë.

Trajneri gjerman, i njohur për disiplinën dhe qasjen taktike të ekuilibruar, foli edhe për cilësinë në rritje të skuadrës që po përgatitet për sezonin e ri.

“Ekipi është përmirësuar ndjeshëm, kemi bërë disa lëvizje të rëndësishme dhe mendojmë se jemi në një nivel më të lartë. Por gjithsesi, na pret një sezon i gjatë dhe sfidues,” shtoi ai.

Flick u shpreh se është i vetëdijshëm për vështirësitë që do të sjellë kalendari i ngjeshur dhe konkurrenca në nivelet më të larta të futbollit evropian.

Ai përmendi edhe sfidat klimatike me të cilat po përballet skuadra gjatë turneut aziatik, veçanërisht në Seul, ku temperatura dhe lagështia janë të larta, faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në përgatitjet fizike të lojtarëve.

Nën drejtimin e Flick, Barcelona po kërkon jo vetëm të ruajë dominimin vendas, por gjithashtu të rikthehet fuqishëm edhe në arenën evropiane, ku objektivi i madh mbetet Liga e Kampionëve.

Ambicia dhe vizioni i trajnerit gjerman sinjalizojnë një sezon të ri plot entuziazëm dhe pritshmëri për tifozët blaugrana. /AutoPortali

TË FUNDIT