Kampioni i trefishtë i botës në MotoGP shpreson të rikthehet në pistë për të zhvilluar të paktën edhe një garë me Ducati-n para kalimit te Aprilia.
Piloti italian Francesco Bagnaia i është nënshtruar me sukses operacionit pas dy frakturave në këmbën e djathtë, të cilat i pësoi gjatë garës Sprint në Çmimin e Madh të Katarit.
Aksidenti ndodhi kur Fermin Aldeguer, gjatë tentimit për ta parakaluar Pedro Acostan, humbi kontrollin dhe u përplas me pjesën e pasme të motorit të Bagnaia-s.
Kontrollet mjekësore zbuluan fraktura në kockat e katërt dhe të pestë metatarsale të këmbës së djathtë.
Operacioni u krye të martën në Torino, ku mjekët vendosën një pllakë metalike për stabilizimin e njërës prej kockave të thyera.

A do të rikthehet në garën e radhës?
Drejtuesi i Ducati-t, Davide Tardozzi, bëri të ditur se objektivi është rikthimi i Bagnaia-s në Çmimin e Madh të Portugalisë, më 20–22 nëntor.
Nëse nuk arrin të rikuperohet në kohë, gara në Valencia mbetet alternativa e radhës.
Gjithçka do të varet nga ecuria e rehabilitimit dhe vlerësimi i mjekëve.
Dëshira e Bagnaia-s është të rikthehet sa më shpejt dhe të përfundojë aventurën me Ducati-n në pistë, para kalimit te Aprilia.



