Futbollisti, Olivier Giroud mund të jetë pranë një rikthimi befasues në futbollin europian, pas një sezoni jo shumë mbresëlënës me Los Angeles FC në MLS.
Sulmuesi 38-vjeçar, i cili ka një karrierë të pasur në klube të mëdha si Arsenal, Chelsea dhe Milan, është bërë objekt i interesimit nga klubi francez Lille, që garon në Ligue 1, transmeton AutoPortali.
Presidenti i klubit, Olivier Létang, e konfirmoi interesimin publikisht, duke theksuar se Giroud përputhet me profilin që Lille kërkon:
“Olivier Giroud ka gjithçka që kërkojmë. Ai është një lojtar i nivelit shumë të lartë, i cili që nga viti 2012 ka luajtur vetëm në klube shumë të mëdha europiane, ku ka performuar mirë.”
Në sezonin e tij në SHBA, Giroud shënoi 3 gola dhe dha 2 asiste, shifra që nuk përfaqësojnë më të mirën e tij, por përvoja e madhe dhe profili i tij si lider mund të jenë faktorë vendimtarë për një rikthim në Ligue 1.
Nëse transferimi realizohet, kjo do të ishte hera e parë që Giroud rikthehet në elitën e futbollit francez që nga largimi i tij nga Montpellier në vitin 2012.



