Pep Guardiola, trajneri legjendar i Manchester Cityt dhe ish-udhëheqës i epokës së artë të Barcelonës, ka reaguar ndaj valës së krahasimeve që po i bëhen yllit të ri të katalunasit, Lamine Yamal, me ikonën e futbollit Lionel Messi.
Në një deklaratë të matur, Guardiola bëri thirrje për kujdes dhe durim, duke i ftuar tifozët dhe mediat që ta lënë talentin e ri të zhvillohet në mënyrë të natyrshme, transmeton AutoPortali.
Lamine Yamal vetëm 17 vjeç, ka ngjallur entuziazëm të madh mes tifozëve të Barcelonës dhe më gjerë, veçanërisht pas marrjes së fanellës me numrin 10 – të njëjtën që për më shumë se një dekadë u bë simboli i Lionel Messit në “Camp Nou”.
Me një teknikë të jashtëzakonshme dhe pjekuri të rrallë për moshën e tij, Yamal shihet si një nga talentet më të mëdhenj që ka dalë nga La Masia në vitet e fundit.
Megjithatë, Guardiola mendon se është shumë herët për krahasime direkte me Messin, edhe pse e pranon se vetëm fakti që përmendet në të njëjtën fjali me yllin argjentinas është një nder i madh për Yamalin.
“Duhet ta lëmë Lamine Yamal të ndjekë rrugën e vet dhe, pas 15 vitesh karrierë, mund të gjykojmë nëse është më i mirë se Messi apo jo”, tha Guardiola.
“Fakti që ai krahasohet me Messin është, në vetvete, diçka e madhe. Është si të krahasosh një piktor të ri me Van Goghun” ka shtuar ai.
Guardiola, i njohur për vëmendjen që i kushton zhvillimit të talenteve të rinj, theksoi se suksesi i një lojtari nuk matet vetëm me talentin, por me qëndrueshmëri, përkushtim dhe kohë.
Yamali, pavarësisht potencialit të madh, është ende në një fazë formimi dhe përballje me presionin publik.
Guardiola e përmendi paraqitjen e fundit të lojtarit ndaj Vissel Kobe, e cila ishte më e zbehur krahasuar me standardet që ai ka vendosur vetë.
Kjo, sipas trajnerit spanjoll, është një kujtesë se rritja e një ylli kërkon kohë dhe maturi.
“Ai ka gjithçka që i duhet për të lulëzuar. Por duhet kohë, përkushtim dhe qëndrueshmëri. Të mos nxitojmë.”
Fanella me numrin 10 në Barcelonë është më shumë se një shifër, është një simbol përgjegjësie, lideri dhe ekselence.
Krahasimet me Messin janë të pashmangshme për këdo që e mban atë numër, por Guardiola sugjeron që për Yamalin është më e rëndësishme të krijojë historinë e vet, jo të ndjekë hapat e dikujt tjetër.
Në fund, Pep përçoi një mesazh të thjeshtë, por të thellë: le t’i japim kohë Lamine Yamalit të jetë ai që është, pa peshën e krahasimeve të pamundura. /AutoPortali



