Lewis Hamilton pati një fundjavë me ulje-ngritje në Çmimin e Madh të Britanisë, ku përfundoi në vendin e katërt, pas një gare kaotike ku performoi më mirë se shoku i skuadrës, Charles Leclerc. Edhe pse bëri një gabim në kualifikimet finale dhe nisi nga rreshti i tretë, ai arriti të përparojë gjatë garës.
Pas garës, Hamilton e përshkroi Ferrarin si “makinën më të vështirë që ka drejtuar në Silverstone vitet e fundit”, duke shtuar se kishte shumë probleme me balancën dhe konsumimin e gomave, sidomos në kushte me shi.
“Mezi pres të ulem me inxhinierët e makinës, sepse disa gjëra nuk duhet të jenë në modelin e vitit të ardhshëm”, u shpreh ai.

Megjithatë, Hamilton është i kënaqur me përmirësimet në kualifikime, ku në tri nga katër garat e fundit është renditur përpara Leclerc. Ai synon podiumin e parë me Ferrarin këtë sezon dhe aktualisht renditet i gjashti në klasifikimin e përgjithshëm me 103 pikë, 16 më pak se Leclerc.



