Lewis Hamilton është i vendosur të mos ndjekë fatin e Fernando Alonso-s dhe Sebastian Vettel-it, të cilët nuk arritën të fitojnë tituj me Ferrarin. Shtatë herë kampioni i botës po punon intensivisht për të udhëhequr skuadrën italiane drejt lavdisë nën rregulloret e reja të Formula 1 për vitin 2026.
“Ferrari ka pasur kampionë të mëdhenj në 20 vitet e fundit, por nuk kanë fituar titullin. Nuk do të lejoj që kjo të ndodhë edhe me mua”, tha britaniku.
Hamilton ka qenë i angazhuar personalisht në zhvillimin e makinës së ardhshme, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtuesit e ekipit dhe inxhinierët. Ai pranon se Ferrari ende nuk funksionon në maksimum, por shprehet i bindur për potencialin e skuadrës.
“Jam këtu për të fituar dhe nuk kam shumë kohë. Besoj se Ferrari mund të fitojë shumë kampionate në të ardhmen – kjo është arsyeja pse jam këtu”, përfundoi ai.



