Këshilltari në ekipin Red Bull, Helmut Marko, ka folur për atmosferën në ekip pas shkarkimit të Christian Hornerit.
Marko fillimisht mohoi të gjitha shkrimet dhe hodhi poshtë çdo dilemë se familja Verstappen kishte ndikuar në prishjen e bashkëpunimit me Hornerin.
“Max Verstappen dhe babai i tij nuk kishin asnjë lidhje me këtë vendim. Në ekipin tonë nuk ka ndarje ‘pro Verstappen’, nuk ka fraksione austriake apo tajlandeze. E gjithë kompania punon në harmoni. Përndryshe, nuk do të kishim arritur sukseset tona komerciale dhe sportive”, ka thënë Marko.
Doktor Helmut Marko zbuloi se Horner kontrollonte pothuajse gjithçka në ekip, ndaj situata tani është mjaft ndryshe që kur ai ka lënë garazhin.
“Ndoshta pikërisht për këtë, në disa fusha kemi mbetur prapa. Prandaj Laurent Mekies është bërë shef i ekipit. Ai do të fokusohet vetëm te puna e skuadrës dhe rezultatet në pistë. Pjesa tjetër e përgjegjësive të Hornerit do të ndahet mes disa personave, specialistë në fushat përkatëse. Baza jonë në Milton Keynes punëson 2,000 persona. Mekies do të merret me çështjet teknike dhe me ekipin. Marketingu, projekti RB17 dhe sistemet e fuqisë do të marrin menaxherë të veçantë”.

Në vendin e tij ka hyrë Laurent Mekies, i cili në garën e tij të parë si shef i skuadrës, regjistroi një fitore për Max Verstappen në garën sprint, ndërsa në garën e së dielës, holandezi përfundoi në vendin e katërt në Çmimin e Madh të Belgjikës.



