Në një natë elektrizuese në finalen e Euro 2025, një vajzë 24-vjeçare që dikur u këshillua të mos luante kurrë futboll, u ngrit si mur i pathyeshëm dhe e çoi Anglinë drejt lavdisë.
Emri i saj është Hannah Hampton, portierja që nuk pranoi të dëgjonte kufizimet dhe sot është kthyer në simbolin e kurajos, besimit dhe triumfit.
Në përballjen e shumëpritur mes Anglisë dhe Spanjës, gjithçka u vendos nga penalltitë. Tensioni ishte maksimal, por ishte Hampton ajo që qëndroi e patundur.
Me reflekse të jashtëzakonshme, ajo priti dy penallti kyçe nga yjet spanjolle Mariona Caldentey dhe Aitana Bonmati, ndërsa goditja e Salma Paralluelo përfundoi jashtë.
Ishte një performancë që nuk shpëtoi askujt pa emocione, e pastër, vendimtare, legjendare.
Por kjo nuk është vetëm një histori sportive, është një histori njerëzore, që fillon shumë larg stadiumeve të mbushura me tifozë dhe lavdisë mediatike.
Një fillim i vështirë: diagnostikimi dhe kufizimet
E lindur me strabizëm, një çrregullim që prek aftësinë për të fokusuar dhe perceptuar thellësinë, Hannah Hampton kaloi një fëmijëri me operacione të shumta dhe vizita të vazhdueshme tek okulistët.
Mjekët i thanë familjes së saj se sporti, nuk ishte një rrugë e mundshme për një fëmijë që ëndërronte të ishte pjesë e fushës, ky ishte një lajm shkatërrues, por Hannah nuk e pranoi kurrë këtë realitet.
“Nga e vogël më është thënë se futbolli nuk ishte për mua. Por gjithmonë kam dashur të provoj të kundërtën,” kishte rrëfyer ajo para turneut.
Dhe e bëri me punë të palodhur, vullnet të hekurt dhe mbështetjen e familjes, ajo u stërvit, përshtati lojën e saj dhe ndërtoi një karrierë që sot është shembull për brezat e ardhshëm.
Rënia dhe rikthimi i madh
Pas suksesit të Anglisë në Euro 2022, Hampton u përjashtua për një periudhë nga kombëtarja, mes zërave për probleme disiplinore dhe vështirësive personale.
Ajo kaloi një periudhë të errët, ku u përball me kritika të forta dhe mendoi seriozisht të largohej nga futbolli. Por vendosi të luftonte përsëri.
Nën drejtimin e trajneres Emma Hayes te Chelsea, ajo e rifitoi vetëbesimin dhe gjeti formën më të mirë të karrierës.
Me një sezon fantastik, ku Chelsea fitoi tripletën pa asnjë humbje, Hampton konfirmoi veten si një nga portieret më të mira në Evropë.
Në maj 2025, ajo u emërua zyrtarisht si portierja titullare e Anglisë, duke trashëguar dorezat nga Mary Earps, një ikonë e futbollit anglez.
Finalja që e bëri legjendë
Në finalen kundër Spanjës, kur gjithçka ishte në lojë, Hampton tregoi se nuk është vetëm një histori frymëzimi, por edhe një garantuese e rezultateve.
Ajo nuk priti vetëm penallti, ajo udhëhoqi me qetësi, organizoi mbrojtjen dhe dha sigurinë që një skuadër e madhe ka nevojë në momentet më të vështira.
Anglia fitoi 3-1 me penallti, duke ngritur titullin e dytë radhazi në Evropë dhe duke vazhduar epokën e artë të “Luaneshave”.
Por në këtë sukses ekipor, ishte zemra dhe kuraja e një vajze që nuk u dorëzua kurrë, ajo që u mbajt mend më shumë se çdo trofe. /AutoPortali



