Ish-kampioni i botës në Formula 1, Dmon Hill, ka folur për rivalitetin e tij me Michael Schumacherin në mesin e viteve ’90, duke theksuar intensitetin dhe ndonjëherë ashpërsinë e duelit të tyre në pistë.
“Nuk donte vetëm të më mundte, përpiqej të më poshtëronte”, tha Hill në një intervistë për revistën GQ. Ai kujton veçanërisht sezonet 1994 dhe 1995, kur Schumacher fitoi dy tituj të diskutueshëm, përfshirë edhe përplasjen vendimtare në Australi ’94, që i dha atij titullin e parë botëror.
Pavarësisht gjithçkaje, Hill thotë se jashtë piste Schumacher ishte një njeri krejt tjetër, i sjellshëm dhe karizmatik.
“Pas pensionimit e intervistova, dhe u tregua një person shumë ndryshe nga ai që njihnim në garë. Vetëbesim i madh, por edhe njeri i këndshëm”, tha ai.
Hill shprehu keqardhje për gjendjen e rëndë të Schumacherit pas aksidentit tragjik në skijim në vitin 2013, duke thënë se, pavarësisht gjithçkaje, ai mbetet një nga më të mëdhenjtë që ka parë ndonjëherë Formula 1.



